Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar hetimet për Vladimir Gjutën dhe nipin e tij Baftjar Bruka, të akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë dhe makinën e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Organi i akuzës thotë se nga hetimi i kryer edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për 15 muaj, nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të dërguar në gjyq të arrestuarit.

Gjithashtu, gjatë veprimeve hetimore, nuk u gjet as motivi se përse këta persona mund të kryenin atentatet ndaj Bashkim Tahirit. Për këtë arsye i është dërguar një shkresë paraburgimit të Bradasheshit në Elbasan, ku kërkohet lirimi i tyre.

Por dy të arrestuarit nuk janë liruar ende, pasi kanë një masës tjetër sigurie nga Gjykata e Kukësit. Vladimir Gjuta akzuohet për falsifikim të dokumentave, ndërsa Bruka për armëmbajtje pa leje.

Me këtë veprim të Prokurorisë, hetimet për atentatet me tritol që tronditën Tiranën 10 Shkurtin e vitit 2015, kthehen në pikën zero.

Për këto ngjarje nuk ka asnjë të ndaluar apo të dyshuar.

Më 26 Shkurt u lirua Lumjan Matmuja, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë histori. Po në Shkurt u lirua edhe Emirjon Gjuta.

Të gjithë këta persona u akuzuan nga Prokuroria për vepra terroriste dhe shkatërrim prone. Vladimir Gjuta u arrestua në muajin Qershor, në tunelin e Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, ndërsa Baftjar Bruka u ekstradua nga Suedia.

Tv Klan