U bë nënë një natë më parë, por vetëm pak orë më pas Trëndafile Demiri ka shfaqur komplikacione në zemër, që nuk mund të trajtoheshin në spitalin e Peshkopisë. 25-vjeçarja është transportuar me urgjencë me helikopter për në Tiranë nga Forcat Ajrore në një udhëtim aspak të lehtë për shkak të erës së fortë.

Situata e motit në këtë qytete, por dhe në tërësi në qarkun e Dibrës vazhdon të jetë problematike. Reshjet e dëborës kanë vazhduar edhe gjatë kësaj të premteje, edhe pse me intensitet më të ulët. Pjesa më e madhe e fshatrave janë të izoluara për shkak të rrugëve të bllokuara. Në Fan, Orosh, Kaçinar e Selitë lëvizja është e pamundur.

Problematika me rrugët e bllokuara vijojnë në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Korçës dhe Gjirokastrës, ndërsa disa segmente rrugore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Fshatrat e thellë vazhdojnë të jenë të izoluar.

Në Kukës, në shumë zona trashësia e borës ka kaluar 1 metër. Po ashtu dhe në Shkodër. Në shumë fshatra mungon energjia elektrike dhe nuk ka shërbim shëndetësor.

Tv Klan