“Do punojmë që atje të stabilizohet situata”

Centrali bërthamor i Zaporizhias tashmë është pjesë e listës së aseteve federale të Rusisë. Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi dekretin që e bën atë edhe formalisht pronë të shtetit rus, pasi e mban të pushtuar me trupa ushtarake që prej ditëve të para të sulmit rus ndaj Ukrainës, që nisi më 24 Shkurt.

Futja në rrjetin rus e këtij centrali mund të shkaktojë një krizë të rëndë energjetike në Ukrainë. Centrali ndodhet në rajonin e Zaporizhias, një prej 4 të aneksuarve nga Moska më 30 shtator. Por kundërsulmi ukrainas me armë të moderne perëndimore që po vijon prej fillimit të Shtatorit ka zbrapsur rusët nga një pjesë e konsiderueshme e këtyre zonave. Për këtë, Putin paralajmëron rimarrjen nën kontroll të territoreve të humbura.

“Ne do të veprojmë me qëllim që situata të stabilizohet atje. Do t’i zhvillojmë qetësisht ato territore që të fuqizohen si një vend i vetëm”.

Mediat ndërkombëtare hedhin dyshime të forta se Moska mund të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, si e vetmja mënyrë për të frenuar humbjen e territoreve të pushtuara, çka për perëndimin është një vijë e kuqe që nëse shkelet do të ndryshojë gjithë rrjedhën e situatës në këtë vend.

Tv Klan