Vladimir Putin shtoi edhe më shumë fuqinë e tij duke dekretuar një ligj që i jep të drejtën presidentit të ashpërsojë, madje edhe bllokojë marrëdhëniet me vendet e cilësuara si jo miqësore.

Ligji i cilësuar si një masë kundër sanksioneve, u miratua nga të dyja dhomat e parlamentit rus. Presidentit i jepet gjithashtu e drejta të bllokojë importet e mallrave nga këto vende.

Ndonëse nuk përmendet asnjë shtet në paketën e re ligjore, analistët politikë e quajnë atë një lëvizje kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.

Në muajin prill, Uashingtoni miratoi sanksionet e fundit ndaj zyrtarëve të lartë rusë, mes tyre Ministri të Brendshëm, ish-kryeministri, si edhe sipërmarrës rusë që janë pranë presidentit Putin, të përfolur si oligarkë.

Marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-të, BE dhe vendeve të tjera aleate u përkeqësuan ndjeshëm pas dëbimit të më shumë se 140 diplomatëve rusë nga këto vende. Vala e dëbimeve erdhi pas rastit Skripal, ish-agjentit rus i cili u helmua në Britaninë e Madhe, një vepër për të cilën akuzohet Moska. Mes vendeve të rreshtuara kundër Rusisë ishte edhe Shqipëria, që dëboi dy diplomatë rusë, duke pësuar të njejtën masë nga Moska.

Tv Klan