Gjermania, Franca e Britania: Jo “ultimatumit” të Putinit

Britania e Madhe, Gjermania, Franca refuzuan në bllok për të plotësuar kushtin e presidentit rus, Vladimir Putin që  gazi natyror të paguhet me rubla dhe jo më me valutë të huaj.

Qeveria gjermane ishte e para që hodhi poshtë menjëherë kërkesën e Rusisë. Kancelari Gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania do të vijojë të paguajë faturat e gazit rus në Euro dhe ndonjëherë në dollarë, sipas kontratave aktuale.

Këtë të enjte presidenti rus Vladimir Putin firmosi një dekret i cili parashikon se duke nisur nga data 1 prill të gjitha vendet jo miqësore, përfshirë edhe vendet e BE do të duhet ta paguajnë gazin rus në monedhën vendase, ose përndryshe atyre do t’iu ndërpritet furnizimi. Në deklaratën e tij Putin tha se blerësit e gazit rus duhet të hapin llogari në rubla pranë bankave ruse.

Ndërsa beteja për gazin mes Perëndimit dhe Rusisë po fokusohet te mënyra e pagesës, çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare pësoi rënie të lehtë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hedhur në treg një sasi të konsiderueshme prej 180 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike kombëtare, por edhe shpresës se në samitin e kësaj të Enjteje të vendeve të OPEC-ut, mund të arrihet një marrëveshje për shtimin e prodhimit.

Bursa e Teksasit e nisi ditën me një çmim prej rreth 103 dollarësh për fuçi, ndërsa ajo e Londrës me 109. Bëhet fjalë për një çmim 4 dollarë më të ulët për fuçi krahasuar me rekordin e shënuar e javës të shënuar të Mërkurën. 

Tv Klan