Sondazhet e nxjerrin fitues me 87 % të votave

Ashtu siç edhe pritej, zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk sollën asnjë surprizë. Vladimir Putin ka marrë një fitore të thellë duke siguruar një tjetër mandat 6-vjeçar si President i Rusisë.

Kjo sipas të dhënave të dy exit-polleve të ndryshme të cilët i japin atij mbi 87 përqind të votave të të gjithë pjesmarrësve në votim.

Gjithsesi procesi i numërimit të votave sapo ka nisur dhe pritet që një rezultat përfundimtar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta japë në ditët në vijim, ndërsa inaugurimi i Putin si president i ri pritet të bëhet vetëm në Maj.

Gjithashtu sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet tre ditore morën pjesë rreth 73 përqind e rusëve me të drejtë vote.

Sipas mediave ruse, kjo është pjesëmarrje më e lartë se ajo e zgjedhjev presidenciale të vitit 2018 kur në votime morën pjesë rreth 67 përqind e zgjedhësve.

Procesi i zgjedhjeve presidenciale u shoqërua me një sërë incidentesh dhe protestash.

Policia ruse u përpoq të vendoste rregull, ndërsa mësohet se ka arrestuar në gjithë vendin mbi 74 protestues.

Protesta pati dhe jashtë Rusisë, teksa në shumë qytete anembanë botës rusët iu përgjigjën thirrjes së bërë nga e veja e ish-liderit të opozitës, Aleksei Navalit për t’i kthyer votimet në ditë të protestave.

Me qindra persona të tjerë u mblodhën pranë ambasadave në Londër, Berlin, Jerevan, Podgoricë dhe mbajtën radhë për të votuar kundër Putinit.

Në Moldavi policia arrestoi një 54-vjeçar, pasi hodhi në ambasadën ruse dy bomba molotov.

Tv Klan