Ndërkohë që bota po bëhet “copash” dhe shpreson për një armëpushim në Ukrainë, Rusia qëndron e vendosur në synimet e saj. Pak ditë më parë pati një bisedë telefonike për më shumë se dy orë mes presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Pas përfundimit të telefonatës ishte vetë Trump, i cili dha sinjale për një shpresë për armëpushim të mundshëm. Megjithatë mundësia për një armëpushim duket ende e largët, aq më tepër nëse merret si e mirëqenë paqëndrueshmëria e Rusisë në këto bisedime.

Vladimir Medinsky, kryenegociatori rus në bisedimet me Ukrainën, tha se Rusia është e përgatitur për një konflikt afatgjatë. Ai kujtoi Luftën e Madhe të Veriut të shekullit XVIII, për të ilustruar vendosmërinë e Kremlinit, për vazhdimësinë e luftës.

“Suedia refuzoi ofertën e paqes të Carit Pjetër të Madh dhe tha ‘do të luftojmë deri në fund’ edhe Rusia po ashtu është gati të vazhdojë,” deklaroi Medinsky.

Ndërkohë, Rusia njoftoi më herët një ulje të konsiderueshme të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe Çernigovit, në përpjekje për të ndërtuar besim në kuadër të negociatave. Por autoritetet ukrainase e kanë pritur me dyshim këtë hap, duke e konsideruar si një hile për të fituar sa më shumë kohë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar garanci të forta sigurie nga Perëndimi dhe mbështetje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke theksuar se vetëm fjalët nuk mjaftojnë për të ndalur agresionin rus.

Nga ana tjetër nëse hedhim sytë nga kërkesat e Rusisë, Moska dëshiron që Krimeja dhe katër rajonet lindore që ajo pretendon se janë pjesë e Federatës Ruse të njihen ndërkombëtarisht si të tilla.

Dhe deri atëherë, siç “u mburr” Medinsky, Rusia do të vazhdojë të zhvillojë luftë, e ndihmuar nga një administratë Trump që nuk është e përgatitur të ushtrojë presion mbi Putinin dhe nuk ka gjasa të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Ukrainën.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, që përfshijnë ndalime udhëtimi, ngrirje të aseteve dhe masa të ashpra ndaj industrisë së saj të naftës, e cila dyshohet se po shmang sanksionet aktuale.

Ekspertët ndërkombëtarë shprehen skeptikë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në të ardhmen e afërt, duke vënë në dukje se çdo armëpushim mund të përdoret nga Rusia për të rigrupuar forcat dhe për të nisur një ofensivë të re./tvklan.al