Pas vendimit për të mos iu përgjigjur me të njëjtën monedhë sanksioneve amerikane, Presidenti rus Vladimir Putin e ka çuar edhe më tej shfaqjen si një politikan i përgjegjshëm në politikën e jashtme.

Me rastin e festës së ndërrimit të viteve, Putin i dërgoi një kartolinë urimi presidentit amerikan Barak Obama dhe presidentit të zgjedhur Donald Trump, si edhe ftoi të gjithë fëmijët e diplomatëve amerikanë të vendosur në Rusi, në spektaklin e fundvitit që do të zhvillohet në Kremlin. 

Të premten, presidenti i zgjedhur Donald Trump, e konsideroi një lëvizje të mënçur vendimin e Vladimir Putinit për të mos dëbuar diplomatë amerikanë, duke lënë të kuptohet se ai do të ketë një tjetër qasje në raport me Rusinë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve prekën pikën më të ulët të viteve të fundit, pas vendimit të presidentit Obama për të dëbuar 35 diplomatët rusë, me akuzën se janë të përfshirë në sulmin kibernetik të zgjedhjeve presidenciale.

Lëvizja e presidentit amerikan u mbështet edhe nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, i cili tha edhe pse këto masa vijnë me vonesë, shërbejnë si një mënyrë për t’i dhënë fund politikës së jashtme të dështuar të SHBA-ve, që e kanë bërë vendin më të dobët në sytë e botës.

Tv Klan