“Po dërguat ushtrinë, do të rrezikojmë sigurinë e aleancës”

Pasi NATO pranoi Finlandën dhe Suedinë në aleancë, Vladimir Putin paralajmëron kundërpërgjigje.

“Nëse trupat dhe infrastruktura e NATO-s vendosen në këto vende, ne do të reagojmë duke krijuar të njëjtin kërcënim për vendet e aleancës, që na kanosen edhe ne nga ky veprim”.

Duke folur pas samitit të liderëve të vendeve kaspike, që u zhvillua paralelisht me atë të NATO-s në Madrid, Putin tha se Finlanda kufitare nuk përbën asnjë kërcënim për momentin ndaj Rusisë. Sipas tij, çështja e Finlandës është krejt ndryshe nga ajo e Ukrainës.

Për shefin e Kremlinit, qëllimi i atij që e konsideron operacion special në Ukrainë, nuk ka ndryshuar dhe është çlirimi i rajoneve lindore të Luhanskut e Donjeckut nga ukrainasit, e po ashtu shuarja e çdo rreziku që i vjen Rusisë nga territori ukrainas. Por një raport i ri i zbulimit amerikan, i cituar nga BBC paralajmëron se plani i Moskës është të pushtojë pjesën më të madhe të territorit ukrainas.

Dyshimet e zbulimit amerikan që me luftën në Ukrainë kanë rezultuar të sakta, edhe këtë herë qëndrojnë. Në rajonin e pushtuar të Khersonit që nuk ka qenë në planet e Putinit, Moska po nxit referendum pavarësie duke ripërsërisur skenarët e aneksimit të Krimesë e rajoneve të Donbasit.

Tv Klan