Presidenti rus vazhdon të kontestojë Pavarësinë e Kosovës

Në konferencën për shtyp të fundvitit e cila zgjati për rreth 5 orë, kreu i Kremlinit Vladimir Putin deklaroi se Krimeja u bë pjesë e Rusisë si rezultat i referendumit popullor, ndryshe nga Kosova ku thjesht votoi parlamenti. Sipas presidentit rus, Perëndimi e pranoi ndarjen e Kosovës, ndërsa për banorët e Krimesë vendosi sanksione.  

“Unë mbaj përgjegjësi për atë që ndodh me Rusinë dhe njerëzit e saj, duke përfshirë edhe kthimin e Krimesë në Federatën Ruse. Kjo u bë me pëlqimin e popullit të Krimesë. Në Kosovë, parlamenti mori një vendim te njëanshëm për pavarësi dhe Perëndimi menjëherë reagoi se ishte vendim i drejtë dhe demokratik. Njerëzit në Krime u shprehën në referendum dhe votuan. Unë dua t’ju kujtoj se demokracia është sundimi i njerëzve. Disa sanksione janë marrë kundër banorëve të Krimesë? Nëse në perëndim flasin për “aneksim”, ata nuk kanë faj për asgjë, pse duhet të ndëshkohen? Dhe nëse nuk ishte një aneksim, por rezultat i votës së tyre, atëherë duhet të pranojmë se kjo ishte një ushtrim i demokracisë dhe nuk do t’i lëmë ata vetëm”.

Në fakt Putin nuk është i informuar si duhet, sepsereferendumi popullor për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur u mbajt nga 26 deri në 30 Shtator 1991 ku u votua pro nga 99,87 përqind e popullsisë. Referendumi u mbajt në rrethana të një pushtimit serb dhe në kushtet e një shtetrrethimi ushtarako-policor.BE ka shtyrë së fundmi edhe për 6 muaj sanksionet ndaj Rusisë për ndërhyrjen në Ukrainë dhe pushtimin e Krimesë. Tingëllon e çuditshme që Rusia së fundmi kërkoi nga Prishtina që të zbatojë marrëveshjen që ka nënshkruar për bashkësinë e komunave serbe ndërsa nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Krimea u bë rajon ukrainas në vitin 1954, kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov transferoi juridiksionin e saj tek Ukraina, ndërsa Kosova, ishte pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kosova është e fundit pjese e federatës jugosllave që e fitoi pavarësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së saj.

Klan Plus