Yulia Navalnaya doli këtë të hënë me një deklaratë në të cilën akuzoi drejtpërdrejtë Vladimir Putin për vrasjen e bashkëshortit të saj, Alexei Navalny. Me anë të një video të postuar në YouTube, ajo po ashtu u zotua për të vijuar punën e tij.

“Përshëndetje, unë jam Yulia Navalnaya. Dikush tjetër duhet të ishte këtu në vendin tim. Por ai njeri u vra nga Vladimir Putin. Diku në një burg përtej Rrethit Arktik, Putin nuk vrau vetëm Alexei Navalny si person, ai donte të vriste shpresën tonë, lirinë tonë, të ardhmen tonë. Ne e dimë ekzaktësisht përse Putin e vrau Alexei-n, 3 ditë më parë. Do t’ju tregojmë shumë shpejt. Por gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për Alexei dhe veten tonë është që të vijojnë betejën”.

“Unë do të vijoj punën e Alexei Navalny. Do të vijoj të luftoj për vendin tonë dhe ju bëj thirrje që të qëndroni krah meje. Po ju drejtohem me fjalët e Alexei-t, tek të cilat besoj vërtetë. Nuk është turp të bësh pak. Turp është të mos bësh asgjë. T’i lejosh ata që t’ju frikësojnë. Ajo që nga duhet është një Rusi e lirë, në paqe dhe e lumtur. Rusia e mrekullueshme e së ardhmes për të cilën im shoq ëndërronte. Kjo na duhet. Në një vend të tillë dua të jetoj dhe dua që fëmijët tanë të rritën. Ky është vendi që dua të ndërtoj bashkë me ju. Vendi që Alexei Navalny imagjinonte. Kjo është mënyra e vetme, nuk ka tjetër, që sakrifica e paimagjinueshme që ai bëri të mos jetë për hiçgjë”, tha Yulia, ndërsa shtoi “Unë nuk kam frikë. Mos kini frikë”.

Kush është Yulia Navalnay?

Ajo ishte thuajse gjatë gjithë kohës krah bashkëshortit të saj gjatë fushatës së tij kundër Putin, qoftë në protestat politike, apo pranë shtratit të tij kur u helmua me Noviçok në 2020-n. Ajo u njoh me Alexei Navalny-n në vitin 1998, teksa ishin për pushime në Turqi. Në atë kohë ai aspironte të bëhej avokat. Çifti u martua 2 vjet më vonë dhe kanë 2 fëmijë.

Pavarësisht mbështetjes të pakushtëzuar për bashkëshortin, Yulia kishte deklaruar në të shkuarën se nuk ishte e interesuar te politika. Por sipas deklaratës së bërë këtë të hënë, duket se ky qëndrim ka ndryshuar. Me vdekjen e bashkëshortit të saj 47-vjeçar, opozita ruse me gjasë do të ketë një fytyrë të re: Yulia Navalny./tvklan.al