Avioni i Vladimir Putin mbërriti pranë aeroportit ndërkombëtar “Nikolla Tesla” të Beogradit, i shoqëruar nga dy avionë të forcave ajrore serbe Mig-29, me të cilët Presidenti rus u kujdes vetë verën e kaluar, që të pajiste miqtë e tij në Ballkan.

Shefi i Kremlinit mbërriti rreth orës 13:00 në kryeqytetin serb, për të nisur vizitën e parë zyrtare, pas më shumë se 4 vitesh. Për ta pritur kishin dalë krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Vizita e parë ishte tek monumenti i Çlirimtarëve të Beogradit, në nderim të të rënëve të Luftës së Dytë Botërore. Putin dhe Vuçiç vendosën kurora me lule.

Axhenda parashikon takime mes dy presidentëve, ku pjesë e diskutimeve do të jetë edhe Kosova, nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve, ndër të cilat ajo për rindërtimin e sistemit hekurudhor të Serbisë, rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe zhvillimit të kërkimit shkencor mes dy vendeve.

Putin i ka sjellë Vuçiçit si medalje urdhrin më të lartë të Federatës Ruse. Beogradi është blinduar me 7 mijë policë, që mbikëqyrin masat e rrepta të sigurisë, ndërsa në kryeqytetin e vendit që synon të jetë pjesë e familjes perëndimore, ka simbole të miqësisë historike me Moskën.

Tv Klan