Putin: Nuk dërgojmë trupa në Ukrainë


Putin: Nuk dërgojmë trupa në Ukrainë

12:32 04/03/2014 Vladimir_Putin-6Presidenti rus Vladimir Putin përjashtoi një operacion ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe tha se kjo do të ishte alternativa e fundit e Moskës. Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë një konference të posaçme për shtyp ku foli për krizën në Ukrainë. Sipas presidentit rus, vendi i tij ka të gjithë të drejtën të ndërhyjë, nëse banorët rusishtfolës kërcënohen.

Putin tha se kërcënimet vijnë nga ekstremistët që kanë marrë dhe mbajnë pushtetin me dhunë  në mënyrë antikueshtetuese në Kiev. Sipas tij ndërhyrja e ushtrisë ruse është më se e drejtë, pasi këtë e ka kërkuar edhe vetë presidenti legjitim Viktor Janukoviç. Këtu ai iu referua letrës që i dërguari i Rusisë në OKB Vitali Çurkin e bëri publike në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, Putin tha se ushtria ruse nuk është e pranishme në Krime. Ata që mbrojnë banorët e gadishullit janë milicët vetëmbrojtës.

Putin foli gjithashtu edhe për protestat në sheshin Maidan në Kiev. Ai tha se populli ukrainas kishte një arsye legjitime për të protestuar kundër administratës së Janukoviç, për të cilin pranoi se korrupsioni ishte një prej gabimeve më të mëdha të presidencës së tij. Por ai akuzoi perëndimin si shkaktare të drejtpërdrejtë të situatës në Ukrainë. Për stërvitjet e fundit ushtarake në Rusi, ai tha se nuk kishin të bënin me zhvillimet në këtë vend.

Më herët presidenti amerikan Barak Obama, në një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Uashington, paralajmëroi Rusinë për pasoja të rënda diplomatike dhe ekonomike nëse nuk ndryshonte kurs.

Këshilltarët e presidentit rus për ekonominë paralajmëruan se në rast se aplikohen sanksione ndaj Rusisë, atëhere rezervat në dollarë në bankën qëndrore ruse do të konvertohen në një monedhë të re ndërkombëtare.

Tensionet ndërkohë vijojnë të jenë të larta në Ukrainë, megjithse situata ka qenë stabël. Paradite, 3 divizione të forcave ajrore ukrainase në Krime dezertuan dhe iu bashkuan autoriteteve të reja lokale pro-ruse.

 

 

 

 

 

 

 






Të ngjashme