Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka paralajmëruar për një katastrofë botërore nëse nuk do të gjendet një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, e cila po zhvillon programin e saj bërthamor. Sipas presidentit rus, vendosja e sanksioneve të tjera ndaj shtetit komunist do të ishte e padobishme.

“Përdorimi i sanksioneve në këtë situatë është i padobishëm dhe jo efikas. E gjithë kjo mund të çojë në një katastrofë globale dhe me numër të madh viktimash”

, u tha Presidenti Putin, gazetarëve.

Putin i bëri këto komente pas një samiti ekonomik të mbajtur në qytetin Xiamen të Kinës.

Presidenti i Rusisë i sugjeron Shteteve të Bashkuara të Amerikës që krizën bërthamore me Penianin ta zgjidhin përmes diplomacisë. Ai bën thirrje për dialog dhe u shpreh kundër masave të tjera shtrënguese që mund të çojnë në përshkallëzimin e situatës.

Rusia ka qëndruar neutrale në këtë krizë ku është janë përfshirë Koreja e Veriut, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia. Situata u tensionua akoma më shumë ditën e dielë, kur shteti komunist deklaroi se testoi me sukses një bombë me hidrogjen, 3 herë më të fuqishme se një bombë bërthamore, duke shkaktuar tërmet artificial 6.3 ballë.

Shtetet e Bashkuara dënuan ngjarjen dhe thanë se të gjitha mundësitë janë të hapura, kurse Presidenti Trump u shpreh se me Korenë e Veriut bisedimet nuk janë alternativë. Testimi bërthamor u dënua gjithashtu edhe nga Japonia, Koreja e Jugut, Gjermania dhe Franca.

Kurse Kina, partneri kryesor tregtar i shtetit komunist, tha se botës po i afrohet një hije e errët pas shumë vitesh në paqe. Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit të OKB po përgatitet të vendosë të tjera sanksione ekonomike ndaj Koresë Veriore, edhe pse nuk kanë mbetur shumë alternativa.

/tvklan.al