“Marrëdhëniet me Uashingtonin në nivel mjaft të ulët”

Presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara për hipokrizi me kritikat ndaj protestave anti-qeveritare në Rusi dhe Bjellorusi duke bërë një paralajmërim të fortë se Amerika rrezikonte të ndiqte rrugën e gabuar të ish-Bashkimit Sovjetik.

“E dini cili është problemi? Do t’jua them si ish-qytetar i ish-Bashkimit Sovjetik. Cili është problemi i perandorive? Ata mendojnë se janë aq të fuqishëm sa mund të përballojnë gabime të vogla. Por numri i problemeve po rritet. Vjen një kohë kur ato nuk mund të trajtohen më. Dhe Shtetet e Bashkuara, me një ecje të sigurt, me një hap të vendosur, po shkojnë drejt në rrugën e Bashkimit Sovjetik”.

Për këtë Putin mori si shembull përgjigjen e Biden ndaj sulmit në Capitol për të cilën tha se ishte një revoltë me kërkesa politike dhe jo një grabitje. Në një fjalim në një forum ekonomik në Shën Petersburg, Putin u pyet edhe për takimin me Biden.

“Ne nuk kemi ndonjë mosmarrëveshje me SHBA. Ata kanë mosmarrëveshje me ne. Ne do të diskutojmë marrëdhëniet dypalëshe. Unë mendoj se duhet të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’i rritur këto marrëdhënie. Për momentin ato janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët.”

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në nivelet më të ulëta që nga Lufta e Ftohtë pas aneksimit të Krimesë në 2014-ën dhe akuzave për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane që Putin i mohoi sërish. I pyetur për bllokimin e deklaratave të tij në rrjetet sociale në perëndim, kreu i Kremlinit u përgjigj prerë.

Tv Klan