Rreth 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, NATO diskuton dërgimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot

Teatër në Kremlin. Pasi ua dërgoi djemtë për të luftuar në Ukrainë, tani Vladimir Putin u thotë nënave të të rënëve se e gjithë udhëheqja ruse ndan vuajtjet e tyre. Kreu i Kremlinit qëndroi i ulur midis nënave të të rënëve rreth një tavoline me çaj, ëmbëlsira dhe manaferra të freskëta përpara. Putini luajti skenën duke marrë frymë thellë.

“Dëshiroj ta dini se unë personalisht dhe e gjithë udhëheqja e vendit ndajmë dhimbjen tuaj. Ne e kuptojmë se asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali – veçanërisht për një nënë. Ne e ndajmë këtë dhimbje”.

Nënat dëgjuan fjalët e Putinit, por komentet e tyre nuk u shfaqën menjëherë në videon e regjistruar nga zyrat e propagandës.

Rreth 100 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë dhe numri pritet të rritet me shpejtësi gjatë dimrit për shkak të hipotermisë. Ushtarët rusë nuk janë të pajisur me kostume dimërore apo mjetet për të mbijetuar gjatë dimrit. Ja këtu shihet një prej tyre në një llogore që për shkak të të ftohtit po kërkon t’i japë fund jetës. Në realizimin e qëllimit të tij e ndihmon ushtria ukrainase.

Përtej kufirit, miliona ukrainas janë ende pa ngrohje dhe energji pas sulmeve më shkatërruese ajrore ruse ndaj rrjetit energjetik.

 “Së bashku duruam nëntë muaj luftë në shkallë të gjerë dhe Rusia nuk ka gjetur një mënyrë për të na thyer dhe nuk do ta gjejë një të tillë”.

Gati 48 orë pas sulmit të fundit, operatori kombëtar i rrjetit Ukrenergo tha se sistemiti mungon thuajse 30% E energjisë së nevojshme të përmbushur kërkesën.

Ministri i Jashtëm britanik James Cleverly vizitoi Ukrainën dhe premtoi miliona paund mbështetje të mëtejshme. Ndërkohë aleatët po diskutojnë nëse në Ukrainë duhet dërguar sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot.

Gjermania ia ofroi Polonisë po Varshava kërkon që sistemi të jetë brenda territorit të Ukrainës. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht e kundërshtoi këtë kërkesë dhe tha se çdo përdorim jashtë territorit të NATO-s kërkon diskutime paraprake me aleatët. Por sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e la topin në fushën e Gjermanisë.

Sipas tij ky është “vendim specifik” që duhet të merret nga Gjermania.

Klan News