“Është Kievi që bllokon çdo iniciativë”

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska është e hapur për dialoguar me këdo që kërkon paqen në Ukrainë. Në takimin e zhvilluar me një grup liderësh të vendeve të Afrikës që kanë hartuar një plan për ndërprerjen e konfliktit dhe që ia kanë prezantuar më herët edhe presidentit të Ukrainës, Volodimir Zlenensky, Putin tha se është Kievi ai që bllokon çdo iniciativë.

Megjithatë Putin nuk pati durim të dëgjojë deri në fund planin e paqes të hartuar nga liderët e Afrikës duke ndërhyrë se besonte se shumë nga propozimet e tyre ishin të gabuara.

Vladimir Putin, presidenti i Rusisë: Projekti i kësaj marrëveshjeje u iniciua nga kreu i grupit të negociatave nga Kievi. Ata e nënshkruan. Por pasi ne tërhoqëm trupat tona nga Kievi, autoritetet atje, ashtu siç bëjnë zakonisht, e hodhën të gjithën në koshin e mbeturinave. Ku janë garancitë që ata nuk do të heqin dorë nga çdo marrëveshje tjetër?

Putin tha se ishte Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë që e kishin nisur konfliktin shumë kohë përpara se Rusia të dërgonte forcat e saj të armatosura në kufi në shkurt të vitit të kaluar.

Kreu i Kremlinit fajësoi Perëndimin se ishte përgjegjës për rritjen e menjëhershme të çmimeve të ushqimeve në mbarë botën dhe që ka goditur veçanërisht Afrikën.

Tv Klan