Është realizuar një video-thirrje ndërmjet Presidentit sirian Bashar al-Assad dhe Presidentit rus Vladimir Putin,  biseda është zhvilluar përpara konferences ndërkombëtare dy-ditore mbi refugjatët në Damask, e cila është planifikuar të fillojë të Mërkurën.

“Miliona refugjatë sirianë që janë larguar nga lufta civile e vendit të tyre duhet të fillojnë të kthehen në shtëpi për të ndihmuar në rindërtimin e Sirisë, tani që pjesë të mëdha të kombit arab gëzojnë paqe relative”, është shprehur Putin. Ndërsa, kjo bisedë ndermjet Putin dhe Presidentit sirian, është kritikuar nga Kombet e Bashkuara dhe zyrtarë të SHBA.

Konflikti nëntë vjeçar i Sirisë ka lënë të vrarë deri tani rreth gjysmë milioni njerëz, ka plagosur më shumë se një milion dhe ka detyruar rreth 5.6 milion të largohen si refugjatë, kryesisht në vendet fqinje. Kurse, 6 milion të tjerë të popullsisë siriane, janë zhvendosur brenda vendit në kohë lufte.

Rusia i është bashkuar luftës së Sirisë në Shtator  të vitit 2015, duke ekuilibruar fuqinë në favor të Asadit, trupat e të cilit kanë rimarrë pjesën më të madhe të vendit.

Kryengritësit sirianë ende vazhdojnë të kontrollojnë provincën veriperëndimore të Idlib, ndërsa luftëtarët kurdë kontrollojnë pjesë të lindjes së vendit.

Edhe pse shumë sirianë dhe vendet perëndimore i shohin kushtet aktuale në Siri si jo të pjekura për kthimin masiv të refugjatëve. Në biseden e realizuar me Presidentin sirian, Putini tha se “terrorizmi ndërkombëtar pothuajse është zhdukur dhe kthimi në jetën civile duhet të fillojë gradualisht”.

Rusia dhe qeveria siriane i referohen të gjitha grupeve kryengritëse si “terroristë”. Putini gjithashtu i tha Asadit se një marrëveshje për konfliktin e Sirisë duhet të përfshijë kthimin e refugjatëve dhe të zhvendosurve në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2254. Ai shtoi se miliona refugjatët “janë njerëz në moshë pune dhe duhet të punojnë në rindërtimin e vendit të tyre”.

Dy ditë përpara konferencës së Damaskut, mbetet e paqartë nëse disa nga vendet që kanë numrin më të madh të refugjatëve sirianë, të tilla si Turqia, do të marrin pjesë apo jo. Ndërkohë, Siria akuzon Turqinë, e cila mbështet opozitën e armatosur kundër Asadit, për vendosjen e paligjshme të trupave turk brenda territorit sirian që kontrollohet nga rebelët.

Ndërsa, Libani, i cili pret numrin më të lartë të refugjatëve sirianë në botë, tha se do të dërgonte një delegacion të vogël për pjesmarrje në konferencë.

Nga ana tjetër, Richard Mills, zëvendës ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, ka thënë muajin e kaluar se konferenca që pritet të mbahet nuk është organizuar në koordinim me Kombet e Bashkuara ose vendet që presin numrin më të madh të refugjatëve dhe u ka kërkuar vendeve të organizatës ta bojkotojnë atë.

“Kjo konferencë do të jetë vetëm fillimi për të zgjidhur këtë problem humanitar”, është shprehur Assad në video-thirrjen me Putin, duke shtuar se një pengesë kryesore për kthimin e refugjatëve janë sanksionet perëndimore, të cilat ai i përshkroi si “të paligjshme dhe të padrejta”./tvklan.al