Vladimir Putin pranon thirrjen e Donald Trumpit për të shmangur atë që sipas tij do të ishte një masakër e tmerrshme në Kursk. Në një mbledhje virtuale të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, shefi i Kremlinit u bëri thirrje ushtarëve ukrainas që ndodhen ende në rajonin rus të Kurskut, të dorëzohen dhe premtoi se rusët do t’u kursejnë atyre jetën.

“Ushtarët ukrainas kanë kryer krime kundër civilëve rusë në zonat që kanë sulmuar. Këto veprime, prokurori i përgjithshëm i Federatës Ruse do t’i trajtojë si terrorizëm, por nisur nga thirrja e presidentit Tramp që të merret parasysh ana humane, u kërkoj atyre të ulin armët, të dorëzohen dhe jeta e tyre do të garantohet”, shprehet Putin.

Presidenti amerikan Donald Tramp shkroi në rrjetin e tij social Truth se mijëra ushtarë ukrainas janë rrethuar në Kursk, ku ushtria ruse po kryen një operacion të ashpër për rimarrjen e kontrollit territoreve të pushtuara që prej Gushtit të vitit të kaluar. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodimir Zelensky mohoi se trupat e tij janë nën rrethim.

Ndërkaq, kryeministri britanik Keir Starmer po zhvillon këtë të Shtunë një samit virtual me 25 vende partnere si Franca e vende të tjera europiane, liderët e unionit, NATO-s e Kanadasë. Në fokus është dërgimi i trupave paqeruajtëse të aleancës në Ukrainë për të mbikqyrur një marrëveshje të mundshme armëpushimi, që megjithatë refuzohet kategorikisht nga Moska.

Tv Klan