Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping mbajtën bisedime të mërkurën, duke rikonfirmuar forcimin e lidhjeve mes të dy vendeve. Takimi i mbajtur përmes videokonferencës, vjen ndërsa marrëdhëniet e Rusisë dhe Kinës me Perëndimin janë përkeqësuar dhe zoti Putin e ka përdorur partneritetin me Pekinin si një mënyrë për të balancuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur një nivel të ri, më të avancuar, bazuar në lidhjet historike mes dy vendeve.

“Koordinimi i ngushtë i veprimeve të Rusisë dhe Kinës në skenën botërore dhe qasja e përbashkët e përgjegjshme në lidhje me zgjidhjen e problemeve aktuale botërore ishin një faktor i rëndësishëm në stabilitetin e marrëdhënieve tona,” tha zoti Putin.

Dy presidentët ranë dakord se Rusia dhe Kina duhet të qëndrojnë të vendosur në refuzimin e ndërhyrjes perëndimore, duke konfirmuar kështu se armiqësia e përbashkët ndaj Perëndimit, po i afron Moskën dhe Pekinin.

“Aktualisht, forca të caktuara ndërkombëtare nën maskën e ‘demokracisë’ dhe ‘të drejtave të njeriut’ po ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës dhe Rusisë dhe po shkelin brutalisht të drejtën ndërkombëtare dhe normat e njohura të marrëdhënieve ndërkombëtare,” citohet të ketë thënë presidenti kinez, nga agjencia shtetetërore e lajmeve Xinhua.

Presidenti Putin i tha homologut të tij kinez se shpreson të takohen personalisht në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin.

“Do të zhvillojmë bisedime dhe më pas do të marrim pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërat Olimpike Dimërore. Unë jam mirënjohës për ftesën tuaj për të marrë pjesë në këtë ngjarje historike.”

Javën e kaluar, SHBA, Kanadaja, Australia dhe Britania konfirmuan bojkotimin diplomatik të Lojërave Dimërore në shenjë proteste kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Kinë.

Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë përafruar gjithnjë e më shumë politikat e tyre të jashtme si kundërpeshë ndaj mbizotërimit të Shteteve të Bashkuara në rendin ekonomik dhe politik ndërkombëtar.

Të dyja janë përballur me sanksione për politikat e tyre të brendshme./VOA