Rusia merr garanci se Republika SERBSKA dhe Serbia nuk do t’iu bashkohen sanksioneve të Perëndimit

Presidenti rus u takua me presidentin e Republikës Serbe para hapjes së një ngjarjeje sportive në Kazan. Ai e falenderoi Dodikun “për ruajtjen e marrëdhënieve të rregullta me Rusinë”, duke shtuar se lidhjet midis dy vendeve “janë krijuar për një kohë të gjatë dhe janë absolutisht konstruktive”.

Milorad Dodik nga ana e tij e siguroi presidentin Putin se entiteti i tij “po refuzon çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë” ndërsa “po ashtu refuzon të pranojë çdo shans për të lëvizur drejt anëtarësimit në NATO”, pavarësisht se perëndimi është “duke ushtruar vazhdimisht trysni”.

“Ne i konfirmojmë marrëdhëniet e mira që Republika Sërpska ka dhe i kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë në rrethanat e tanishme është refuzimi i çdo mundësie për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë,” tha Dodiku.

Ai foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke thënë se kjo “e bën situatën më të lehtë” për Republikën Sërpska.

Në përfundim të takimit, presidenti rus e dekoroi Dodikun me Urdhrin e Aleksandër Nevskit, për “forcimin e partneritetit” midis Rusisë dhe Republikës Serbe.

Milorad Dodik, president i Republikës Serbe, prej vitesh ka mbrojtur idenë e bashkimit me Serbinë. Për këtë arsye ai është nën sanksionet amerikane dhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Klan News