NATO konfirmon dyert e hapura për anëtarësimin e Ukrainës
Një minutë heshtje për nder të mikut të ngushtë të Vladimir Putinit, ish-kryeministrit të ndjerë italian, Silvio Berluskoni. Më pas Forumi Ekonomik i Shën Petërsburgut, vijoi i shkretë sipas planit të propagandës pa pjesëmarrjen e zakonshme të udhëheqësve të Gjermanisë apo Francës.
Lideri rus, Vladimir Putin u shfaq i vetmuar dhe u përpoq ta shfrytëzojë forumin për t’i siguruar rusët se vendi qëndron i fortë e sanksionet nuk arritën ta izolojnë Rusinë, por përkundrazi sollën “zgjerimin” e tregtisë me “tregjet e së ardhmes”.
Presidenti citoi statistika pozitive për të lavdëruar shëndetin ekonomik të Rusisë. Në të vërtetë Rusia ka regjistruar rënie të të ardhurave ku rol kyç ka luajtur ulja e eksporteve energjetike dhe rritja e shpenzimeve ushtarake.
Për agresionin e tij në Ukrainë, Putini pohoi se ka sjellë “çarmatimin” e Ukrainës dhe vijoi me kërcënimet ndaj Perëndimit duke pretenduar se ekziston rrezik që NATO-ja të tërhiqet në luftën e Ukrainës. Ai gjithashtu tha se armët taktike bërthamore janë dislokuar tashmë në Bjellorusi.
“NATO-ja, natyrisht, po tërhiqet në luftën e Ukrainës. Furnizimi me armatime të rënda ushtarake po vazhdon. Në një sektor të frontit ka pasur tentativa sulmi nga dy kompani e mbështetura nga pesë tanke, në një sektor tjetër ka pasur edhe një kompani e gjysmë me ndihmën e dy tankeve. Tanket po digjen. Disa tanke janë shkatërruar, përfshirë Leopardët. Avionët F-16 do të digjen gjithashtu, pa dyshim.”
Por aleatët e NATO-s nuk i morën parasysh kërcënimet e Putinit. Gjatë takimit dyditor të ministrave të Mbrojtjes u ra dakord që përveç avionëve amerikanë F-16, t’i japin Ukrainës edhe ata model suedez Saab JAS 39 Gripen. Ministrat diskutuan gjithashtu mbi samitin e ardhshëm të udhëheqësve të aleancës që do të zhvillohet në Vilnius, i cili do të shqyrtojë mbështetjen për Ukrainën dhe garancitë e sigurisë pas luftës.
Anëtarët e NATO-s u pajtuan që Ukraina t’i afrohet aleancës në aspektin praktik dhe të planifikohet krijimi i një këshilli të përbashkët.
“Ne po punojmë gjithashtu për të krijuar një këshill të ri NATO-Ukrainë ku Ukraina do të jetë e barabartë me aleatët e NATO-s dhe do të konsultohet dhe do të vendosë për çështjet e sigurisë me interes të përbashkët. Ne jemi dakord që dera e NATO-s është e hapur, se Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës dhe se ky është një vendim për aleatët dhe Ukrainën.Rusia nuk ka të drejtën e vetos.”
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ai i kërkoi Turqisë të lejojë hyrjen e Suedisë në NATO. Austin pati “një takim shumë të shkurtër” me Yasar Guler ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, takim sipas tij i “shfrytëzuar për ta inkurajuar të miratojë pranimin e Suedisë në NATO.”
Klan News