Manfredas Ruzgis pritet të jetë padyshim protagonisti i merkatos së verës në Superligën shqiptare. Sulmuesi ndihmoi Vorën për të qënë pjesë e elitës së futbollit tonë sezonin e ardhshëm, duke shënuar 24 herë në 32 ndeshje. Një performancë që ka tërhequr vëmendjen e një prej skuadrave që shpesh ka hedhur sytë nga Shqipëria.
Qarabag ka shfaqur interes për shërbimet e 28-vjeçarit. Gjiganti i futbollit azer shikon te Ruzgis sulmuesin kryesor për sezonin e ardhshëm, ndërsa për Vorën pritet të ketë një shifër të majme për ta lënë të lirë. Formën e mirë në fushën e lojës e tregon edhe fakti që ai ka marrë përsëri ftesë nga kombëtarja e Lituanisë.
Sulmuesi konsiderohet si tepër thelbësor për këtë skuadër, e cila luan dy duelet kualifikuese të Kupës së Botës 2026. Kombëtarja Lituaneze do të luaj ndaj Maltës me 7 qershor dhe ndaj Danimarkës më 10 qershor. 28-vjeçari ishte pjesë e përfaqësueses edhe në sfidat e muajit mars, duke u aktivizuar nga stoli në barazimin 2-2 kundër Finlandës, ku qëndroi për 33 minuta në fushë, por nuk arriti të ndryshonte fatin e kombëtares lituaneze.
Klan News