Tirana me numrin më të lartë të procedimeve penale

Tirana vijon të jetë qarku me numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara nga prokuroria në vitin 2020. Kryeprokurori Olsian Çela, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve tha se Tirana kryeson me 31,74 përqind të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vende.

“Në vitin 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar si përherë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me 31,74 përqind të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Prokuroritë e tjera me shifra më të larta, janë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, me rreth 9 përqind të numrit total të procedimeve në shkallë vendi dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka regjistruar diku tek 7.7 përqind të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.”

Sa i përket qarkut me përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë, ajo është Dibra, ndërsa përqindjen më të lartë e ka Gjirokastra. Ky qark, tha Çela, ka rritjen më të lartë për 2020-n, me 14 përqind.  

“Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë edhe në vitin 2020 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë, qarku Gjirokastër. Sa i përket tendencës, vihet re se rritjen më të lartë për 2020-n, e ka qarku Gjirokastra me 14 përqind, ndërsa qarku Dibër dhe Kukës kanë koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që sërish rezulton me një rritje, krahasuar me një vit më parë”.

Për 2020-n, rezulton se vepra penale me numrin më të lartë të procedimeve e ka vjedhja e pasurisë.

“Numrin total të procedimeve ndër grup-veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, me 31,24 përqind të numrit të përgjithshëm, por me një ulje 9,96 përqind krahasuar me 2019-n”./tvklan.al