Kallëzimi i një shtetasi italian, pasi i ishte marrë automjeti ka vënë në pranga një person dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

40- vjeçari me inicialet E. P i kishte marrë automjetin Alfa Romeo shtetasit italian dhe nuk ia kishte kthyer më. Policia nisi punën pas denoncimit dhe nga kërkimet bënë të mundur gjetjen e mjetit në rrugën “Bilal Golemi” ku dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin.

Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur dot dhe menjëherë ka hedhur nga automjeti një armë zjarri  Pistoletë “TT”. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”,  të shtetasit E.S, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë  për “Vrasja” mbetur në tentativë.

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim për veprën penale “Mashtrimi” e shtetasit E. P 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin italian duke i marrë makinën dhe ja ka shitur shtetasit E.S.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit së bashku me një karikator me fishekë si dhe automjeti në pronësi të shtetasit italian.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al