U qëllua 3 herë me armë zjarri, nuk dihet autori

Një 23-vjeçar ka mbetur i plagosur në Elbasan pasi u qëllua me armë zjarri në qendër të qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 01 e 15 minuta pas mesnate, në lagjen “Luigj Gurakuqi”, në afërsi të stadiumit.

I plagosur ka mbetur 23-vjeçari Kei Piu, që shihni në këtë foto. I riu ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, por ka rënë pre e atentati nga një person ende i pa identifikuar, sapo ka zbritur nga mjeti. Piu është qëlluar tre herë me armë zjarri, por fatmirësisht ka mbetur vetëm i plagosur.

Pas kësaj është transportuar në spital ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk ka ende një pistë për ngjarjen, ndërsa i riu njihet si pronar i një palestre në qytet dhe pa precedentë të mëparshëm.

Sakaq hetuesit kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të bizneseve, përgjatë rrugës ku ndodhi ngjarja. Në të njëjtën kohë janë shoqëruar në polici disa persona, por pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë.

Tv Klan