Një aktiviste e njohur në Britani të Madhe është qëlluar në kokë me armë zjarri.

Gjendja shëndetësore e Sasha Johson mbetet kritike për jetën. Sasha është një aktiviste dhe organizatore e “Black Lives Matter” në Londër. Mediat britanike raportojnë se nëna e 3 fëmijëve kishte marrë vazhdimisht kërcënime të shumta përpara se të qëllohej me armë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në Londër. Shumë aktivistë por dhe deputetë të Parlamentit të Britanisë së Madhe kanë shprehur solidarizim për Sashën. Ndërkohë, policia londineze bëri me dije se kishte marrë një thirrje në orën 03:00 të mëngjesit të një dite më parë ku ishin raportuar të shtëna me armë.

Kur shkuan në vendngjarje, ata gjetën një grua të plagosur me armë. Të shtënat thuhet se ndodhën pranë një shtëpie ku organizohej një festë. Policia thotë se hetimi është ende në fazat e hershme dhe nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur. /tvklan.al