Autobuzi qellohetNjë autobus me 16 pasagjerë i linjës Athinë – Tiranë u qëllua me armë zjarri në afërsi të fshatit Krahs të Tepelenës dhe 2 pasagjerë të tij u plagosën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 1.20, pak minuta pasi mjeti kishte lënë qytetin e Tepelenës.

Është qëlluar pa paralajmërim, siç rrëfejnë edhe vetë pasagjerët. Dhe vetë ata i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit të mos ndalojë.

Dyshohet të kenë qenë të paktën 2 autorët e kësaj ngjarje. Disa pasagjerë të tjerë thanë se ata ishin të maskuar.

Drejtuesi i mjetit ka udhëtuar pa u ndalur deri në fshatin Bejar, ku gjendej një patrullë e policisë së Fierit.

Të plagosurit Qebarete Xhihani 19-vjeç nga Fieri dhe Laurent Tabaku, 25-vjeç nga Elbasani u dërguan në spitalin e Fierit. Gjendja e 25-vjecarit është e rëndë, pasi plumbat i kanë prekur organet jetësore. Ndërsa 19 –vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën.

Policia dyshon se bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje. Disa postblloqe u ngritën përgjatë rrugës Fier – Tepelenë dhe në zonë policia po ushtron kontrolle. Por deri tani nuk ka mundur të verë në pranga autorët.