Lajm në përditësim:

Lefter Zhidru, 71 vjeç ka hapur zjarr në drejtim të policisë këtë të enjte në qytetin e Elbasanit. Burime paraprake bëjnë të ditur se policia është njoftuar për një konflikt familjar në lagjen 11 Nëntori.

Pasi janë nisur drejt vendngjarjes, forcat Shqiponjat dhe Patrulla e Përgjithshme e policisë janë përballur me të shtënat e armëve.

Aktualisht autoritetet policore janë pozicionuar në vendngjarje dhe po i bëjnë thirrje autorit të dyshuar që të dorëzohet.

Në ndihmë të policisë së Elbasanit janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA.

Policia thotë se aktualisht 71-vjeçari vijon të qëllojë me armë, ndërsa nga të shtënat kanë mbetur të plagosur 2 kalimtarë të rastit, Abdenauer Kodraxhiu dhe Ledjo Saraçi. Fatmirësisht ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Ora 14:04-Policia e Elbasanit/Informacion paraprak

Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.

Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë.

Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë.

Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit. /tvklan.al