Në muret e shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala shenjat e plumbave janë të dukshme.

5 shenja plumbash janë në muret e jashtme. Një prej plumbave ka thyer xhamin e derës kryesore dhe ka qëlluar murin e brendshëm.

Dyshohet se autorët kanë qëlluar nga një makinë në lëvizje, në orët e para të mëngjesit.

6 plumba u qëlluan drejt shtëpisë së prindërve të gazetares Klodianan Lala njëri prej të cilëve ka përfunduar brenda në banesë, duke rrezikuar jetën e persona që kanë qenë brenda.

Dy vajzat e mitura të gazetares njëra 6 vjeç dhe tjetra 3 vjeç ndodheshin në banesë në gjumë. Gjithashtu në shtëpi ishin prindërit e Klodianës, vëllai dhe dy miq të familjes. Për fat të mirë asnjeri prej tyre nuk ka mbetur i lënduar. Autorët dyshohet se kanë qëlluar nga rruga, një distancë prej 20 metrash.

Vetë gazetarja Klodiana Lala sqaroi se nuk ka konflikte me njeri dhe sulmi ka motiv punën e saj si gazetare. Për kolegët e saj gazetarë, ajo foli shkurt.

Klodiana Lala:

Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës si gazetare.

Pjestarët e familjes së gazetarët kanë konstatuar të shtënat me armë vetëm në mëngjes dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Në momentin kur shtëpia është qëlluar me arme thanë se nuk kane dëgjuar gjë, për shkak të zhurmave nga një dasme aty pranë.

Ata janë marrë në pyetje nga policia ku kanë konfirmuar se nuk kanë konflikte me njeri. Ndërsa grupi hetimor ka sekuestruar gëzhojat në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin.

Pista kryesore është ajo e një sulmi për shkak të detyrës ndaj gazetares. Të njëjtin dyshim ka dhe Klodiana, e cila në një reagim të sajin sqaron se sulmi ka motiv punën e saj si gazetare.

“Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal.

Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje”.

Pas sulmit gazetarja Klodiana Lala dhe familjarët e saj janë marrë në mbrojtje policia.Blutë vazhdojnë të ruajnë dhe të kryejnë kontrolle në zonën përreth shtëpisë së prindërve te gazetares.

Tv Klan