Opinion –5 Maji është kthyer në simbolin e Ditës së Dëshmorëve. Në të vërtetë kjo datë ka lidhje me një ngjarje që lidhet me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore, me Majin e vitit 1942, kur në Tiranë u vra njëri prej militantëve komunistë të kohës, Qemal Stafa.

Ai ishte një ndër themeluesit e Partisë Komuniste dhe një prej anëtarëve të grupeve komuniste të kohës që ishte proceduar nga Mbreti Zog në vitin 1938 dhe për këtë arsye ishte bërë shumë i njohur. Më 1938-n ai ishte 18 vjeç dhe kishte arritur të bënte një qëndresë në gjyqet e monarkisë, ku kishte deklaruar se ishte komunist.

Vrasja e tij më 5 Maj 1942 ishte një nga goditjet e para të forta që Partia Komuniste pësoi. Për shumë vite, vrasja e tij ka qenë mister. Pas viteve 90-të ka pasur shumë argumente për mënyrën se si ndodhi, por në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu sillen dëshmi të personave që kanë qenë prezentë në momentin e vrasjes.

Drita Kosturi, ish e fejuara e Qemal Stafës, e cila kishte qenë me të kur ndodhi ngjarja, ka dëshmuar për “Opinion” se Stafa kishte vrarë veten për të mos u kapur nga policia italiane. Më 1942, Drita Kosturi, Maria Lezhja dhe Gjystina Sata, ose siç është njohur më pas gjatë gjithë jetës me emrin Flora Dishnica, shkojnë në një bazë pranë spitalit ku ndodhej Qemal Stafa. Gjysma e shtëpisë ishte marrë me qira nga Beqir Minxhozi, një militant komunist.

Të pestë personat kaluan në atë bazë natën e 4 Majit. Në bazë kishte shkuar gjithashtu edhe Kristo Themelko, një tjetër militant, sëbashku me Isuf Keçin. Beqir Minxhozi kishte dalë nga baza për të blerë ushqime dhe menjëherë ishte arrestuar. Në xhep ai kishte edhe adresën e shtëpisë dhe policia bashkë me të ishin drejtuar për të bërë kontroll. Nuk dihet arsyeja se përse u arrestua Minxhozi dhe ky mister nuk u zbardh kurrë. Edhe pse Minxhozi vdiq në fillim të viteve 2000 nuk ka folur kurrë për këtë çështje.

Policia mbërrin në bazën ku ishin vendosur 5 ilegalët dhe Drita Kosturi ishte e para që i kishte vënë re. Menjëherë kishin shqyer derën e banjës dhe Qemali, Maria dhe Justina arritën të dalin, ndërsa Drita arrestohet. Siç dëshmon ajo të nesërmen, pas arrestimit policia e kishte njoftuar se Qemali ishte vrarë.

Flora Dishnica në dëshminë e saj tregon se pas daljes nga baza në momentin e arratisjes ishte plasja e një bombe ajo që bëri që ata të kapeshin më shpejt. Sipas saj, në momentin e arrestimit, Qemal Stafa kishte plagosur një polic në dorë dhe më pas policia kishte plagosur Qemalin po në dorë. Ajo tregon se Qemali kishte arritur të ikte dhe nuk e kishin parë më.

Dëshmia e Drita Kosturit përmbys versionin e 5 Majit. Sipas saj, Qemal Stafa i plagosur nuk mund të largohej. Një fshatar i Tiranës me iniciale Y.B ka qenë i vetmi dëshmitar që vonë është pranuar prezenca e tij. Sipas Kosturit, fshatari kishte kuptuar se ai ishte një prej anëtarëve të rezistencës dhe i kishte propozuar Qemal Stafës të ndryshonin rrobat në mënyrë që të shpëtonte, por ai nuk kishte pranuar. Sipas dëshmisë, pa lënë asnjë amanet, ai kishte zbrazur armën në trupin e tij për të mos rënë në dorë të policisë.

Pavarësisht dëshmive, mister i madh vijon të mbetet edhe fakti që këta persona që u bënë rastësisht në atë bazë nuk u takuan më kurrë me njëri-tjetrin pas ngjarjes.

tvklan.al