Ky është “Steni” një nga qentë e Policisë së Shtetit, që është pjesë e skuadrave operacionale, për zbulimin e lëndëve narkotike por edhe të kartëmonedhave.

Prej 3 vitesh është pjesë e ekipit policore në doganën e Kakavijës. Gjatë një demonstrimi në një aktivitet në kryeqytet, gjeti me sukses kokainën, që ishte fshehur në një prej këtyre valixheve. Instruktori i tij, deklaron se nuk është e lehtë të stërvitësh një qen policie, por me kalimin e kohës bëhet më e lehtë.

Ervin Prifti, instruktor i qenit “Steni”: Kam tre vite që po punoj me qentë, për kalimin kufitar Kakavijë. Ka patur disa operacione të suksesshme që ia ka vlejtur. Për zbulimin e drogës dhe të lekëve, për këto të dyja është i specializuar.

Krahas Stenit, në Parkun Rinia në kryeqytet demonstruan edhe qen të tjerë të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe nga Sarajeva, Shkupi, Prishtina, apo dhe Podgorica. Në total janë 92 skuadra policore ku pjesë e tyre janë edhe qentë.

Mirash Loci, shef, Instituti i përgatitjes së Qenve: Këta qen përdoren në kufi në kontrollet doganore, në kontrollet e mjeteve. Përdoren nga Njësitë e Sigurisë, nga RENEA Përdoren për kapjen e personave të rrezikshëm në banesa dhe në vende të tjera. Përdoren nga Njësia Antieksploziv për kërkimin e lëndëve eksplozive.

Në takimin ku morën edhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të një projekti të OSBE-së, Ministri i Brendshëm tha se Policia e Shtetit është e fokusuar për goditjen e fenomenit të përhapjes së armëve të zjarrit.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Në 300 ditët e fundit Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe ka sekuestruar 415 armë zjarri, shto këtu një numër shumë të madh të armëve të ftohta.

Demonstrimi Rajonal për aftësitë e zbulimit të narkotikëve, parave dhe armëve të zjarrit u organizua për herë të parë në Tiranë, nga Policia e Shtetit dhe Prezenca e OSBE në Tiranë.

Qëllimi ishte të dëshmojë aftësitë e shoqëruesve të qenve të policisë dhe qenve të policisë për zbulimin e sendeve të paligjshme për të cilat janë trajnuar.

Klan News