Në Kamëz eshte ngritur qendra e re e Kontrollit të trafikut e cila garanton koordinimin e rrjeteve rrugore dhe ndihmon në reduktimin e vonesave dhe aksidenteve.

“E gjithë kjo qendër moderne e monitorimit do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar ose Smart City me rrjetin e kamerave inteligjente dhe inteligjencën artificiale që do të bëjnë të mundur që në kohë reale të mblidhet i gjithë informacioni në çdo metër, jo në çdo kilometër, për të gjitha natyrat e programatikeve dhe më në fund të largohet edhe policia nga pritat në rrugë. Por ama të jetë e gatshme në çdo moment që me sinjalizimin e këtij inspektori virtual të vihet në lëvizje”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se të gjitha urgjencat dhe thirrjet të jenë të unifikuara.

“Është një detyrim i madh që do ta shoqërojmë me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe të gjitha thirrjet dhe të gjithë këto drejtime të janë të unifikuara. Kjo është ajo që na duhet”, tha Rama.

Zv.kryeministrja Balluku tha se qendra do të funksionojë me 122 operatorë, ku në këtë fazë fillestare të monitorimit janë lidhur me kamera 200 kilometrat e parë, që mbulojnë autostradat kryesore.

“200 kilometrat e para kanë mbuluar autostradat kryesore të vendit, pra Tiranë -Durrës, Durrës -Rrogozhinë, Rrogozhinë – Fier, Fier- Vlorë dhe të gjitha akset e tjera, të cilat janë akset kryesore”, tha Belinda Balluku.

Sipas Ballukut synimi final është mbulimi i 3650 km rrugë që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Klan News