Në 30 Shtator nisi zyrtarisht dhe publikisht vaksinimi i popullatës për gripin e stinës. Ministrja Manastirliu deklaroi, se janë siguruar 368 mijë doza vaksine falas, më shumë se çdo vit tjetër.

Edhe të nesërmen në 1 Tetor, Manastirliu, gjatë një vizite në një shtëpi të moshuarish, i mëshoi faktit, se vaksina do të bëhej masivisht, duke nisur me grupet e riskut, mjekët, arsimtarët, të moshuarit e ata, që kanë sëmundje kronike.

“Sot do të bëjmë vaksinën. Falë punës suaj, falë strategjisë që ne kemi bërë me shërbimin social, falë kujdestareve që kanë qëndruar këtu pa u shkëputur fare”, shprehej atëherë ministrja.

Por ajo që ndodh në realitet është shumë ndryshe nga çfarë reklamohet nga ministrja. Emisioni “Stop” ishte në 7 qendra shëndetësore, por në asnjërën prej tyre nuk kishte vaksina. Personeli tha, se vaksina mund të vinte nga fundi i muajit Tetor.

Qendra Shëndetësore nr. 1

Qytetari: Si jeni? Interesohem për vaksinën e gripit.

Informacioni: Për kë? Për veten?

Qytetari: Gjyshin! Gjyshin!

Informacioni: Kanë mbaruar zonjë, deri nga fundi i Tetorit nuk vijnë.

Qytetari: Kur mbaruan?

Informacioni: Të martën!

Qytetari: Po si procedurë pastaj, si është?

Informacioni: Hiç, merr një letër te mjeku i familjes dhe vjen bën vaksinën!

Qytetari: E kuptoj! Nga fundi i Tetorit vijnë thua, me siguri?

Informacioni: Po do bësh një telefon pas datës 20, se mund të vijnë në Tetor, mund të vijnë në fillim të Nëntorit, nuk e dimë.

Qytetari: E marr vesh! Faleminderit!

Qendra Shëndetësore nr. 2

Qytetari: Më falni, si jeni? interesohem për vaksinat të lutem!

Informacioni: Ça vaksine?

Qytetari: Vaksinat e gripit për gjyshin!

Informacioni: Kanë mbaruar sot. Javës tjetër vijnë.

Qendra Shëndetësore nr. 10

Qytetari: Mirëmëngjesi! Interesohem për vaksinat e gripit të lutem!

Informacioni: Në fund të Tetorit!

Qytetari: Në fund të Tetorit?

Informacioni: Po! Kështu na kanë lajmëruar. Merr letrën te mjeku i familjes, që ta kesh, në momentin, që do vijnë! Një sekondë, të jap numrin e telefonit, që të më marrësh në telefon!

Qytetari: Faleminderit!

Qendra Shëndetësore nr. 3

Informacioni: Çfarë dëshironit goca?

Qytetari: Interesohem për vaksinat.

Informacioni: E gripit?

Qytetari: Po!

Informacioni: Nga java tjetër do interesohesh, se nuk ka tani.

Qytetari: Prapë nga java tjetër?

Informacioni: Se nuk ka, kanë mbaruar tani.

Qendra Shëndetësore nr. 9

Qytetari: Më falni, ju lutem një pyetje! Për vaksinat e gripit, si procedohet?

Informacioni: Duhet të pyesësh mjekun e familjes!

Qytetari: Po!

Informacioni: Për momentin kanë mbaruar.

Qytetari: Po kur kanë ardhur, që kanë mbaruar?

Informacioni: Erdhën dhe kanë dy ditë, që kanë mbaruar.

Qytetari: Më fal! Sa ditë ka, që kanë mbaruar?

Informacioni: Dy ditë zonjë.

Qytetari: E si procedohet pastaj? Është me pagesë? Ca duhet të bëj?

Informacioni: Jo moj ça pagese?! Do vesh te mjeku i familjes, do marrësh rekomandim dhe vjen këtu! Na merr në telefon!

Qytetari: Faleminderit!

Qendra Shëndetësore nr.8

Qytetari: Më falni, interesohem për vaksinën e gripit!

Informacioni: Sasia e parë është mbaruar, tani presim të vijë.

Qytetari: Po kur mbaruan? Unë pyeta njëherë para 4 ditësh.

Informacioni: 100 e ca është bërë për ca ditë. Ishte një fluks i paparë.

Qytetari: Sa ditë ka, që ka mungesa?

Informacioni: Dy ditë!

Informacioni: Jo, jo! Është pa pagesë, është falas.

Poliklinika “Vorri i Bomit”

Qytetari: Më falni! Si jeni? Mirë? Interesohemi për vaksinat e gripit, të lutem për gjyshin!

Mjekja: Kush o gjyshi?

Qytetari: Kxxxxx Hxxxx.

Mjekja: E ke me turnin e tjetrës, e do vish t’i pyesësh pasdite doktoreshat! Ne të turnit tonë na kanë mbaruar. Për ato nuk e dimë, kështu që do vish të pyesësh te mjekja e familjes!

Qytetari: Kur të vij?

Mjekja: Pasdite, pas orës 1 e gjysmë!

Qytetari: Ok!

Mjekja: Deri në orën 7 e gjysmë i ke këtu.

Qytetari: Faleminderit!/tvklan.al