Analistët nuk mund të dalin në një përfundim  

Agjencitë e Inteligjencës në Amerikë kanë pikëpamje të ndryshme përsa i përket origjinës së Covid-19.

Presidenti amerikan Joe Biden u ka kërkuar  agjencive që të hartonin një raport mbi origjinën e mundshme të COVID-19, mirëpo ato nuk kanë arritur në një përfundim të përbashkët.

Por ato ranë dakord në një pikë se virusi nuk  është “zhvilluar biologjikisht” dhe ka të ngjarë të mos jetë formuar gjenetikisht.

Agjencitë ndajnë dy hipoteza të ndryshme. Virusi mund të ketë ardhur nga ekspozimi natyror ndaj një kafshe të infektuar ose nga një incident laboratorik.

Analistët thonë se ata nuk janë  “në gjendje të japin një shpjegim përfundimtar për origjinën e COVID-19″ nëse nuk dalin në dritë informacione ose prova të reja.

Organizata Botërore e Shëndetit dërgoi një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë në Wuhan për të studiuar origjinën e virusit në janar për 28 ditë, por ai raport u kritikua për përfshirjen e Pekinit dhe mungesën e informacionit të papërpunuar. Në një deklaratë, Biden tha se “përpjekjet tona për të kuptuar origjinën e kësaj pandemie nuk do të pushojnë”.

Kina më herët ka akuzuar Shtetet e Bashkuara lidhur me politizimin e çështjes mbi origjinën e koronavirusit. Pekini zyrtar ka deklaruar se nëse SHBA dëshiron ta akuzojë Kinën pa arsye për origjinën e koronavirusit, atëherë ata le të përgatiten për kundërsulme.

Klan News