Pavarësisht deklaratave të kortezisë për arritjen e marrëveshjes mes dy kampeve politike të dyja palët janë të ndara për datën e zgjedhjeve vendore.

Ndërsa kryeministri Berisha thotë prerë se zgjedhjet lokale do të zhvillohen brenda periudhës 20 Dhjetor-20 Janar, kryesocialisti Rama është skeptik dhe kërkon fillimisht zbatimin e marrëveshjes.

Kreu i socialistëve shton ndërkaq se për datën e zgjedhjeve mund të ketë edhe ndryshim të kushtetutës.

Edi Rama: “Kushtetuta nuk është një tabu dhe nga ana tjetër është e qartë që për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme ne kemi nevojë nga njëra anë tani që këto kushte të plotësuara në parim t’i materializojmë në amendamente, të cilat parlamenti do të duhet t’i miratojë në mënyrë konsensuale. Të gjitha kushtetutat ndryshojnë. Kushtetuta është një qenie e gjallë, nuk është një libër i vdekur”.

Rama ka lënë sërish evaziv kandidimin e tij të mundshëm në kryeqytet, ndërsa është shprehur se e majta do të jetë fituese në Tiranë.

Gjithashtu opozita këmbëngul për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në vitin 2007. Sipas Ramës këtë nuk mund ta pengojë një kandidim i mundshëm për president ish-kryeministri Fatos Nano.

Edi Rama: “Nuk ka asnjë konjukturë që mund ta thyejë parimësinë e vendimit tonë për të bllokuar zgjedhjen e presidentit thjesht dhe vetëm sepse kjo parimësi lind nga nevoja për të ulur kostot e kësaj keqqeverisje, e cila vërtet është kthyer në një problem të madh për shqiptarët”.

Kryesocialisti e shikon si hap pozitiv drejt zgjedhjeve të lira arritjen e marrëveshjes, por nuk e fsheh mosbesimin  në lidhje me rolin e mazhorancës.

Edi Rama: “Nuk kam asnjë ndjenjë triumfalizmi dhe për më tepër asnjë iluzion sepse kemi fituar vetëm një betejë dhe lufta vazhdon në kuptimin më të mirë të kësaj fjale në një shoqëri demokratike dhe për më tepër në një shoqëri ku demokracia është ende shumë e brishtë dhe ku kërcënimi i vazhdueshëm ndaj standardeve, ndaj institucioneve, ndaj opozitës është sundues”.

Pas disa muajsh debate ku opozita kërkonte plotësimin e tre kushteve të saj marrëveshja e arritur të mërkurën ka zbutur disi klimën politike./tvklan.al