Një ditë pas vendimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës për shembjen e nënkalimit të nyjës së Zogut të Zi, kryeministri Berisha njëherësh kryetari i këtij këshilli është shprehur i vendosur për ta çuar deri në fund këtë çështje.

Sali Berisha: “Ka një vendim të hekurt, një vullnet të hekurt të kësaj qeverie që të zbatojë ligjin, që të rivendosë ligjin. Për mua ligji është ligj. Unë qëndroj me kokë ulur para ligjit dhe e zbatoj atë. Nënkalimi i Zogut të Zi, mbikalimi i Zogut të Zi, i “Korbit të Zi” se ashtu e ka bërë ai, ashtu e ka bërë se vetëm korbi mund të vetëm, dmth, ku kërcënohen jetë njerëzish. Mos mendojë kush në një vend ku bien tavanet, dyshemeja, tulla, tjegulla nuk mund të kishte vetëm një mendim, atë që sugjeruan ekspertët ndër më të shkëlqyerit e vendit.”

Ndërkaq kanë reaguar për vendimin e KRRTRSH-së dhe anëtarët e majtë në Këshillin Bashkiak duke e quajtur këtë vendim krejtësisht të pambështetur në asnjë argument ligjor.

Pas kësaj deklarate radhën për të dalë përpara mediave e ka patur Ministria e Punëve Publike dhe e Transporteve.

Zv/Ministri, Stavri Ristani ka deklaruar se vendimi i KRRTRSH-së është e vetmja mënyrë për të mbrojtur jetën dhe xhepat e taksapaguesve për një investim siç e quajti ai nënkalimin aspak të gjetur për të zgjidhur problemet që ka kjo zonë.

Ndërkaq pas padisë së bërë dje nga Bashkia e Tiranës për vendimin për prishjen pranë organeve të drejtësisë, sipas ligjit duhet të kalojnë 15 ditë, afat i nevojshëm për t’i lënë kohë bashkisë të ankimohet përpara se Policia Ndërtimore të çojë fadromat për të hedhur në tokë ndërtimet e bëra deri tani në nyjën e Zogut të Zi./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka