Një qytetar nga Durrësi, Ilir Ibrahimi, ka gjetur një qen pastor për të cilin dyshon se u përket grupeve të huaja të kërkim-shpëtimit që erdhën në vendin tonë për situatën e krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Iliri kërkon që qenin ta marrin pronarët, pasi deri më tani askush nuk i ka dalë për zot. Ai ka ardhur në studion e emisionit “Stop” në Tv Klan, së bashku me qenin, për të bërë apel që të gjenden pronarët e qenit.

Ilir tregon se qenin e gjeti më 29 Nëntor pranë rrënojave të hotel ‘Mira Mare’ në Durrës që u shemb tërësisht nga tërmeti i fortë me magnitudë 6.4.

Qeni ka një qafore kur shkruhet “policia”. Iliri mendon se ky qen është i stërvitur dhe i përket ekipit kroat, por kjo gjë nuk dihet me siguri.

Ilir Ibrahimi: Unë e kam gjetur përpara 3 ditësh 100 metër larg hotelit Mira Mare. Ishte me një grumbull qensh dhe unë dyshoj që e kam parë tek gërmadhat. Në momentin që është nxjerrë kufoma e fundit nga hotel Mira Mare, dikush hipi dhe vendosi flamurin shqiptar. Dhe atje afër tij ka qenë dhe ky qen.

Gentjan Zenelaj: Është shumë  i dashur. I bëj thirrje dhe këtyre shoqatave të animalistëve shqiptarë, ju lutem shpërndajeni që të dimë mos vallë i përket dikujt sepse është për të ardhur keq që është larg familjes.

Saimir Kodra: Në fakt, sot paradite që e morëm në televizionin Klan, i kontrolloi të gjitha makinat e parkimit tonë. E sigurt është që as drogë as mina nuk ka në Tv Klan, se nuk qëndroi në asnjë vend. Për të gjithë ata që kanë një qen në shtëpi dhe e kuptojnë vlerën, në qoftë se është qen privat i dikujt e gjeni në numrin e redaksisë tonë, na kontaktoni. Në qoftë se e ka ndonjë grup shpëtimi nga ata tuajt, Ministria e Brendshme që ka inventar ose ka informacion le të na kontaktojë.

Ilir Ibrahimi: Unë kam qenë në Drejtorinë e Policisë në Durrës, kam bërë denoncim, kam lënë dhe numrat e telefonit.

Iliri ia dorëzon qenin e humbur emisionit “Stop” duke bërë apel që të gjenden pronarët për ta marrë. /tvklan.al