Peshëngritja shqiptare që në mjaft raste është penalizuar nga dopingu, u shpërblye për garën e 2 viteve më parë në botërorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Erkand Qerimajt iu njoh zyrtarisht medalja e bronzit për shkak se kundërshtari i tij Rumuni Dimitru Kalpataru rezultoi pozitiv në analizat antidoping. Qerimaj thotë se ky është mesazh i fortë për çdo sportist

“Duhet të punojnë pastër dhe të stërviten. Medaljet nuk vijnë kollaj, pasi duhet sakrificë dhe mund.”

Erkand Qerimaj po përgatitet për Europianin që do të mbahet në muajin Prill në Gjeorgji. Pjesën e parë të saj e zhvilloi në Prishtinë.

“Ngarkesa është rritur goxha, kemi bërë shumë ushtrime ndihmëse për këmbët. Kemi përmirësime të rezultateve. Tani shpresojmë të përmirësohem te rezultatet e teknikës, pasi ajo do të duhet në garë.”

Qerimaj ka pak kohë që garon në peshën deri 81 kilogramë, me të cilën synon të përfaqësohet edhe në olimpiadën e Tokios në 2020.

“Gara është shumë  e fortë, pasi pesha 81 kg merr pjesë në olimpiadë dhe një kategori më lart nuk shkon, por duke parë rezultatet shpresojmë të jem pjesë e treshes.”

Erkand Qerimaj gjatë karrierës së tij ka marrë 46 medalje ndërkombëtare në të gjitha nivelet, ku spikatin shpallja kampion Europe në 2014 e 2017 dhe suksesin në botërorin e 2 viteve më parë.

Tv Klan