Nëntë persona kanë humbur jetën, katër prej të cilëve nën moshën 18 vjeç, pas të shtënave me armë brenda një dyqani lojërash në qytetin Urupuan në perëndim të Meksikës. Sipas hetuesve, dyqani përdorej nga karteli Los Viagra për të shitur drogë. Autorët mendohet se i përkasin kartelit rival, Jalisco-s.

Vrasjet vijnë disa ditë pasi policia arrestoi një lider lokal të Los Viagrave. Kjo ngjarje shënoi nisjen e një lufte të vërtetë mes anëtarëve të bandës dhe forcave policore. Pasi Luis Felipe Barragan u ndalua, njerëzit e tij i zunë pritë policisë në një rrugë dhe hapën zjarr ndaj tyre duke plagosur dy oficerë policie.

Çfarë ndodhi në dyqanin e lojërave?

Dëshmitarët janë shprehur se katër persona të armatosur hynë brenda dhe kërkuan dy anëtarë të Los Viagrave, të njohur si “Rusi” dhe “Qerosi”. Por pasi nuk morën asnjë përgjigje ata hapën zjarr. Policia gjeti 56 gëzhoja në vendngjarje.

Ky sulm ndodhi një ditë pasi prokurorët gjetën një varr masiv me 11 trupa, disa prej të cilëve ishin torturuar më parë. Urupuan është një qytet në Michoacán, një ndër shtetet me rritjen më të lartë të dhunës në Meksikë.

Kush janë Los Viagrat?

Banda kriminale e Los Viagrave është formuar nga tetë vëllezër. Lideri i tyre është vëllai më i madh, Micolas Sierra.

Si çdo bandë tjetër në Meksikë, ata kanë formuar dhe prishur lidhje me kartelet e tjera duke shkaktuar konflikte dhe viktima pa fund.

Ata ishin aleatë me kartelin Jalisco, por marrëdhëniet u prishën pas kontrollit për drogat sintetike./tvklan.al