Kurti: I mirëkuptoj ndërkombëtarët, përmbushëm detyrimet kushtetuese

Pas 24 orë tensionesh në veri të Kosovës, situata është qetësuar. Forcat e Policisë kanë larguar mjetet transportuese dhe njoftojnë se rrugët janë të lira.

Pavarësisht se komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE dënuan ashpër dhunën e shkaktuar, duke paralajmëruar se kjo do të kishte pasoja për Kosovën, kryeministri Albin Kurti me anë një të reagimi në rrjetet sociale shprehet se qeveria e tij u detyrua të zbatonte obligimet kushtetuese.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj. Do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarët”, tha Kurti.

Kurti fton qytetarët serbë që të bashkëpunojnë me kryetarët shqiptarë të tre komunave.

Për përplasjet e forta te shkaktuara të premten, reagoi dhe NATO që fton Prishtinën zyrtare të shtensionojë situatën. Zëdhënësja Oana Lungesku shprehet se NATO u bën thirrje gjithashtu të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut.

Misioni i NATO-s, KFOR njofton se vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt.

Trazirat në komunat me shumicë serbe në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok u shkaktuan për shkak të marrjes së detyrës të kryetarëve shqiptarë, të cilat u pritën me protesta të banorëve të zonës. Në përplasjet me policinë dhe serbëve pati disa të lënduar.

Në zgjedhjet e 23 Prillit në katër komunat në veri të Kosovës, partitë serbe bojkotuan procesin dhe pjesëmarrja në votime ishte 3,4 përqind dhe drejtimi i tyre për herë të parë u mor nga shqiptarët.

Tv Klan