Ministrja Denaj: Ndryshuam buxhetin për 4.4 milionë doza vaksinash

Qeveria ka miratuar ndryshimet në buxhet për fondin shtesë prej 2 miliard lekësh për blerjen e vaksinave antiCovid.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, paraqiti në seancën plenare ndryshimet në Aktin Normativ duke theksuar se vaksinimi është prioritet i qeverisë

“Deri më sot Qeveria Shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milionë dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milionë doza të tjera vaksine”, tha Denaj, duke shtuar, se e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave.

Shtesa në të njëjtën masë, prej 2 miliardë lekësh është parashikuar sipas Ministres së Financave edhe për të ardhurave tatimore, të cilat balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin parametrat makro-fiskalë.

Klan News