Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i përcolli këtë të hënë institucionit të Prokurorisë një paketë prej 8 pikash, me rekomandime të hartuara nga Këshilli i Ministrave.
Kryesisht bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të njeriut, integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria e institucione ligjzbatuese apo dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët.
Sipas qeverisë, këto synojnë të përforcojnë luftën ndaj krimit dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale.
“Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit.
Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale.
Përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjive digjitale dhe analizës së të dhënave janë thelbësore për hetimin e krimeve komplekse”, tha ministri Manja.
Por për kreun e SPAK, Altin Dumani, këto rekomandime janë të vështira për t’u zbatuar ashtu siç janë hartuar. Ai theksoi se nuk nevojiten mekanizma të reja të kontrollit të punës së institucionit që ai drejton.
“Një rekomandim tjetër që shikohet, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritetet në luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja, nevojë për respektimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit. Rekomandohet forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit. SPAK është subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD dhe vetë strukturat e tij. Krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistuese rrezikon të sjellë mbingarkesë burokratike. Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshme, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme”, tha Dumani.
Zbatimi i rekomandimeve shikohet me vështirësi edhe për kryeprokurorin Olsian Çela.
“I rëndësishëm për ndjekjen e rekomandimeve do të jetë sidomos për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm plotësimi i organikave. Ngritja e seksioneve të posaçme dhe njësive të specializuara kërkon njerëz pasi ende ne kemi 35% të mungesave në organikë, le të themi kjo relativizon shumë mundësinë e ndjekjeve të rekomandimeve”, tha kryeprokurori Çela.
Këshilli i Ministrave harton çdo vit rekomandime që i përcillen institucioneve ligjzbatuese për t’i ndjekur gjatë punës së tyre, të cilët duhet ti reflektojnë në plotësimin e raporteve periode.
Klan News