Qeveria britanike bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të 3 policëve kosovarë, të ndaluar nga forcat serbe.

“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të 3 policëve kosovarë të ndaluar më 14 Qershor. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ushtrojnë vetëpërmbajte maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.”

Në një deklaratë, Britania kërkon nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti që të njoftojë sa më parë zgjedhje të parakohshme në komunat me shumicë serbe, ndërsa nga serbët që jetojnë në këto komuna, kërkon që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare në lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje”.

Po ashtu qeveria britanike pret që Kosova dhe Serbia të ulen menjëherë në dialog dhe nisjen sa më parë nga puna për themelimin e Asociacionit.

“Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”./tvklan.al