Qeveria shqiptare dhe ajo britanike kanë zbardhur çështjet që morën vëmendjen më të madhe mes kryeministrave Rama dhe Sunak në një deklaratë të përbashkët pas takimit të së enjtes.

Përveç Task-Forcës së rënë dakord në Dhjetor, Rama dhe Sunak vendosën të çojnë përpara bashkëpunimin në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. Në fokus është frenimi i këtyre udhëtimeve të paligjshme dhe shkëmbimi i të dhënave dhe pasaportave.

“Dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit Dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt.”

Ekstradimi i qindra të burgosurve shqiptarë në atdhe është një tjetër çështje e rakorduar mes 2 kryeministrave.

Deklarata e përbashkët: Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundojë deri në fund të Prillit me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

Rama dhe Sunak u angazhuan të punojnë për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve ku përfshihet edhe ndihma për sigurinë kibernetike shqiptare dhe për një përgjigje më të fortë ndërkombëtare ndaj agresionit rus.

Bashkëpunimi mes biznesit ishte një tjetër çështje si dhe dyfishimin e fondit të gatishmërisë për përballimin e rrezikut të tregut për financimin e eksporteve britanike për Shqipërinë në 4 miliardë stërlina.

Tv Klan