Deri në 1 vit sigurime e 4 muaj paga për ata që punësojnë të papunët

Qeveria ka vendosur që të zgjerojë programin e nxitjes së punësimit, ku subvencionon pagat dhe një pjesë të sigurimeve shoqërore për të papunët që rihyjnë në tregun e punës, jo vetëm për kompanitë e mëdha por edhe për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit.

Tashmë edhe këto ndërmarrje të vogla kanë të drejtë të aplikojnë në këtë program për të marrë në punë individë që nuk janë të punësuar duke ndarë një pjesë të kostove me qeverinë.

Gjithë skema do të funksionojë përmes 3 programeve. I pari ka fokusin te të rinjtë që janë të pupunë, ku shteti merr përsipër të paguajë të gjithë sigurimet shoqërore për 1 vit dhe 4 muaj deri në 1 vit pagë minimale.

Dy programet e tjera kanë fokusin në aftësimin profesional. Për të gjtihë procesin e punës dhe marrjes së eksperiencës nga punëmarrësi, shteti paguan sigurime shoqërore dhe pagën minimale, ndërsa te intershipet jepet edhe pagesë për mentorin.

Skema ka si qëllim gjallërimin e tregut të punës dhe zbutjen e efekteve që ka lënë pandemia e Covid-19.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave shkalla zyrtare e papunësisë u rrit në 11.9% në fund të qershorit, ndërsa 50 mijë individë humbën vendin e punës.

Tv Klan