Do të kërkohen nga bankat 100 milionë €, amortizohet rënia e Lekut

Qeveria shqiptare pritet që të dalë pas disa ditësh në tregjet e brendshme për të emetuar një obligacion në vlerë 100 milion euro. Burime konfidenciale thonë për Televizionin Klan se në kushtet ku ndodhet ekonomia nga rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit, është e domosdoshme nisja e procesit huamarrës për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit.

Është vendosur që blerja e bondit nga bankat në Shqipëri të bëhet në Euro, për të amortizuar zhvlerësimin e këtyre ditëve të monedhës kombëtare, e cila pritet të marrë një tjetër nënçmim nga ulja e fortë me 0.5% e interesit të saj nga Banka Qendrore.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit monedha europiane kërceu në 124.47 Lekë, duke u rritur me 0.63%. Paundi u rrit me 3.24% dhe Dollari me 0.37%. Gjatë ditëve të fundit qeveria ka marrë në formë borxhi në tregun e brendshëm 3 obligacione me afat nga 2 deri në 7 vjet,  për një vlerë prej 14 miliardë lekësh.

Emetimi i obligacioneve në Euro ka ndodhur edhe në vite të tjera, kryesisht në periudhat e sezonit veror, kohë kur emigrantët vijnë në Shqipëri.

Përveç bondit në tregun e brendshëm, Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare në Maj për të emetuar Eurobond me vlerë 600 milionë euro, ndërsa shumë qeveri të vendeve të zhvilluara po dalin për financime në bursa për shuma të mëdha si pasojë e bllokimit të ekonomive nga pandemia Covid-19.

Tv Klan