Qeveria do të japë para në dorë për çdo fermer që mbjell produktet të përcaktuara në listën e saj dhe që arrijnë standardet e cilësisë. Në këtë listë përfshihen perimet, bimët medicinale, agrumet, vreshtaritë dhe disa lloje frutash. Sofjola Kotelli thotë se që të përfitohen këto subvencione, fermerët duhet me patjetër që të regjistrohen dhe të kenë NIPT. Ministria e Bujqësisë do të hapë thirrjet për 94 milion euro skema mbështetëse, prandaj që këto para të shkojnë për prodhuesin, ai duhet të jetë formal.

“Ne kemi bërë gati listën që do të subvencionojmë me para në dorë çdo fermer, janë gjithsej 15 produkte”.

Edhe dokumentacioni që fermerët që duan të përfitojnë nga mbështetja financiare është bërë zero. I gjithë procesi është me vetëdeklarim dhe do të jetë sistemi që do të zgjedhë përfituesin, i cili pasi zgjidhet duhet të dorëzojë dokumentet.

“Është me zero dokumente dhe mund të bëhet edhe online. Çdokush aplikon dhe nëse fiton atëherë duhet të nisë të dorëzojë dokumentacionin”.

Por ndryshe nga qeveria, fondi i Bashkimit Europian IPARD kërkon dokumentacion të saktë dhe ofron mbështetje për ferma të mëdha.

“Duhet të jenë ferma mbi 10 gjedhë ose 100 të imta ose 0.4 hektarë tokë”.

Deri tani përfitimi nga skemat e bujqësisë ka bërë që të përfitojnë vetëm grumbulluesit dhe jo fermerët, për shkak të mungesës së NIPT-it. Kjo ka bërë që edhe rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar po ashtu të përfitohet nga tregtarët e mëdhenj.

Tv Klan