Ligji i ri hipotekon edhe ndërtimet pa leje që janë bërë në objekte

Pas dy dekadash qeveria ka arritur të zgjidhë çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë të cilat i ka dhënë për përdorim të ushtarakëve apo ish-ushtarakëve, por pa i pajisur ata me certifikatë pronësie.

Një projektligji i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia e Kadastrës, do t’i japë të drejtë ushtarakëve ose trashëgimtarëve të tyre që të marrin në pronësi shtëpinë e dhënë për strehim të përkohshëm apo për banim, kundrejt pagesës së vlerës së truallit që ka patur objekti i ndërtuar në momentin që kanë hyrë për banim.

“Kusht për privatizim është përcaktuar pagesa e vlerës së truallit nën objekt nga përfituesit, shumë financiare e cila do të shërbejë për kompensim financiar të ish-pronarëve”.

Ligji do t’i japë zgjidhje edhe marrjes së Hipotekës për të gjitha pronat të cilat kanë pasur ndërhyrje me shtesa. Në bazë të matjeve të bëra në vitin 2018-ë, shumica e këtyre banesave kanë rezultuar me devijim nga objekti i dhënë fillimisht.

“Privatizimi i objekteve të bëhet sipas gjendjes faktike të ndërtesës, duke përfshirë ndërtimet e reja, ndryshimet/ndërtimet e kryera në funksion të përshtatjes së objekteve për banim”.

Qeveria do të përjashtojë nga përfitimi i privatizimit personat të cilat nuk janë më banorë të këtyre ndërtesave ose kanë përfituar një tjetër objekt banimi nga shteti.

Tv Klan