Preket fondi rezervë, shpërndahen edhe 1.3 milionë $ të tjera

Qeveria ka vendosur të dyfishojë ndihmën që u jepet për fushatë partive politike duke prekur fondin rezervë të buxhetit të shtetit.

Me një vendim të miratuar në datën 7 Prill, Këshilli i Ministrave ka shtuar me 1.3 milionë dollarë fondin e mbështetjes së subjekteve politike që janë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 Prillit, nga 1.5 milionë dollarë që ishte caktuar fillimisht për to.

Mbështetja për zhvillimin e fushatës zgjedhore është më e lartë se fondet dhëna në vitin 2019 dhe ka barazuar nivelet me shpenzimet e buxhetit të shtetit në vitin 2017.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përcaktojë dhe njëherë shpërndarjen e parave të fushatës për partitë politike, në bazë të votave të marra nga çdo subjekt në zgjedhjet e fundit.

Partia Socialiste ka marrë 630 mijë dollarë dhe do t’i shtohet pothuajse dhe njëherë kjo shumë, ndërsa ishte llogaritur që Partia Demokratike të përfitonte këto zgjedhje 390 mijë dollarë, vlerë e cila gjithashtu pritet t’i dyfishohet nga vendimi i fundit i qeverisë.

Bashkë me fondin për mbështetjen e partive politike, zgjedhjet parlamentare 2021 bashkë me fushatën zgjedhore do t’i kushtojnë buxhetit 43.7 milionë dollarë.

Tv Klan